Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë (USSH) konstaton me shqetësim se disa kabinete dhe klinika dentare vazhdojnë të shkelin hapur Statutin dhe Kodin Etik e Deontologjik të Stomatologut, duke publikuar reklama me çmimet dhe ofertat e shërbimeve dentare që ofrojnë.
Kujtojmë se këto veprime janë shkelje e drejtpërdrejtë e Statutit të USSH dhe nenit 59, pikat 4, 5 dhe 6 të Kodit Etik dhe Deontologjik të Stomatologut.
Departamenti i Inspektimit dhe Monitorimit ka evidentuar tashmë një numër klinikash me shkeljet përkatëse. Ftojmë të gjithë stomatologët dhe çdo person tjetër që disponon njoftime ose prova për raste të ngjashme, të cilat mund të mos jenë konstatuar ende nga USSH, t’i dërgojnë ato (me imazhe) në emailin: info@stage.ussh.org.al
USSH paralajmëron për herë të fundit të gjithë stomatologët dhe subjektet e përfshira që të heqin menjëherë çdo reklamë që përmban çmime apo oferta te shërbimeve dentare.
Pas këtij njoftimi, çdo rast i konfirmuar do të çojë në nisjen e menjëhershme të procedimeve disiplinore, pa asnjë paralajmërim tjetër.
USSH do të ndjekë me vendosmëri zbatimin e rregullave dhe do të marrë masa ndëshkuese ndaj çdo shkelësi, duke mbrojtur integritetin e profesionit dhe respektimin e ligjit.
