Deklaratë Zyrtare e Presidentit të USSH

Deklaratë Zyrtare e Presidentit të USSH

Të nderuar stomatologë!

Në lidhje me njoftimin personal të z. Nikoll Deda ju bëjmë me dije sa më poshtë:

Procesi gjyqësor dhe vendimi përkatës, cituar nga z. Deda nuk ka lidhje me organet e zgjedhura të USSH për mandatin 2025 – 2030. Këto zgjedhje janë organizuar në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe Statutit të USSH dhe janë të pakontestuara nga kandidatët që morën pjesë në atë proces në organet gjyqësore.

Vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë bën fjalë për një padi të bërë vite më parë për parregullsi lidhur me procesin zgjedhor të mandatit 2020-2025, mandat i cili ka përfunduar prej më shumë se nëntë muajsh dhe për rrjedhojë, me përfundimin e këtij afati kohor, zhvlerësohet edhe objekti i kësaj padie.

Po për këtë padi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, për të gjithë periudhën e mandatit të dytë dha masën e sigurimit të padisë, masë e cila dërgoi për gjykim z. Deda dhe thuajse të gjithë personat drejtues të USSH për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe moszbatimit të vendimeve gjyqësore në periudhën e lartpërmendur.

Ndërkohë, kujtojmë të gjithë stomatologët dhe opinionin publik se z. Nikoll Deda është një person që nuk përfaqëson interesat ligjore të USSH, apo në çdo rrethanë tjetër ligjore Urdhrin e Stomatologut të Shqipërisë.

Ai është një person që aktualisht po gjykohet për dy çështje penale nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (dhoma penale) për vepra penale shumë të rënda që kanë lidhje me ushtrimin e detyrave të tij gjatë kohës që ka qenë President i USSH, si edhe në Gjykatën e Apelit Tiranë për dy vepra të tjera penale.

Përsa më sipër Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë garanton të gjithë stomatologët, ndihmësstomatologët dhe të gjithë opinionin publik se veprimtaria normale e USSH vazhdon në zyrat e saj në përmbushje të misionit të parashikuar në ligj.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Presidenti i Këshillit Kombëtar
Dr. ALMIRO GURAKUQI

Scroll to Top