REAGIM

Tiranë, më 24.11.2025

Të nderuar stomatologë, ndihmësstomatologë, të diplomuar, studentë dhe qytetarë.
Në vijim të pyetjeve tuaja në lidhje me të ashtu quajturën mbledhje të Asamblesë Rajonale Tiranë dhe pseudo zgjedhjeve të zhvilluara në ambjentet e një IAL-je jo publike në qytetin e Tiranës ju bëjmë me dije sa më poshtë:
E ashtu quajtura mbledhje e Asamblesë Rajonale Tiranë, si dhe zgjedhja e të ashtuquajturit President të Këshillit Rajonal Tiranë janë akte që vijnë në kundërshtim me ligjin dhe absolutisht të pavlefshme. Ato nuk përfaqësojnë asgjë dhe nuk kanë asnjë ndikim në veprimtarinë normale dhe ligjore të USSH.
Ato janë tentativa e fundit e një njeriu të dëshpëruar që ka tejkaluar mandatin e tij të dytë e të fundit, për gati një vit, i cili po gjykohet penalisht nga gjykatat në Republikën e Shqipërisë për shkelje të rënda të detyrës dhe mendon që një ent publik si USSH është në pronësi të tij dhe jo të stomatologëve, ndihmësstomatologëve, studentëve dhe të diplomuarve në degën e stomatologjisë.
Zgjedhjet private të personave që nuk përfaqësojnë asgjë për USSH nuk kanë asnjë vlerë ligjore.
Mjafton të përmendim se anëtarësia e Rajonit Tiranë është mbi tre mijë stomatologë, ndërsa në zgjedhjet private kanë marrë pjesë më pak se 0.1% e kësaj anëtarësie.
Veprimtaria e USSH zhvillohet në selinë e saj dhe jo në ambjente me qera të IAL-ve jopublike, të cilat nuk përfaqësojnë komunitetin e stomatologëve në Republikën e Shqipërisë.
I kujtojmë opinionit publik dhe të gjithë subjekteve të interesuar se USSH ka depozituar kallëzimin penal pranë organeve kompetente, tek të cilat kemi besim të plotë për zgjidhjen e çështjes në fjalë.

Duke ju falënderuar,
PRESIDENT I KËSHILLIT KOMBËTAR TË USSH
Dr. Almiro Gurakuqi

Scroll to Top